
Ukraina po synon të nisë sa më shpejt prodhimin vendas të raketave interceptuese Patriot, pasi Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord t’i japin Kievit licencat e nevojshme. Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se tashmë është arritur marrëveshja politike dhe se hapi i radhës është zbatimi teknik i projektit.
Pas kthimit nga samiti i NATO-s në Turqi, Zelensky tha se miratimi u arrit gjatë takimit me presidentin amerikan Donald Trump në Ankara dhe u bëri thirrje institucioneve ukrainase të veprojnë pa humbur kohë.
“E zgjidhëm këtë çështje politikisht. Tani është shumë e rëndësishme që ekipet tona teknike dhe institucionet përgjegjëse të nisin menjëherë punën për të siguruar licencat dhe për të filluar prodhimin në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur”, u shpreh Zelensky.
Sipas tij, Trump i ka garantuar Ukrainës licencën për prodhimin e raketave Patriot, duke i thënë: “Do t’ju japim një licencë për të prodhuar raketa Patriot. Në këtë mënyrë, nuk mund të ankoheni se nuk po ju japim mjaftueshëm.”
Vendimi vjen në një kohë kur Kievi vazhdon të marrë raketa Patriot nga aleatët perëndimorë, por furnizimet globale po pakësohen, ndërsa Ukraina po i përdor interceptorët me një ritëm më të lartë sesa mund të prodhohen aktualisht në Shtetet e Bashkuara.
Patriot konsiderohet një nga sistemet më të avancuara të mbrojtjes ajrore në botë. Interceptorët PAC-3 janë ndër armët e pakta perëndimore që mund të rrëzojnë raketat balistike ruse, të cilat kanë goditur vazhdimisht qytetet ukrainase.
(A2 Televizion)