Raportimi në Kuvend, Kurti: Sukseset rritën nervozizmin dhe agresivitetin e Beogradit

Nga A2 CNN
2 Dhjetor 2024, 19:19 | Politikë

Kryeministri Albin Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës raportoi për punën e tij katërvjeçare në drejtimin e Qeverisë duke thënë se ndihet krenar që përkundër sfidave kanë shënuar shumë të arritura.

Kreu qeveritar u ndal fillimisht tek ekonomia që sipas tij në asnjërin prej tre viteve të qeverisjes së tij rritja reale ekonomike nuk ka qenë më pak se 4%. 

Gjithashtu, ai shtoi se ka rreth 80 mijë të punësuar më shumë sesa në pranverën e vitit 2021.

“Në këto tri vite të fundit kemi pasur rritje ekonomike mesatarisht prej 6.36 për qind të bruto-produktit vendor. Papunësia që dikur ndihej si një re e rëndë mbi familjet kosovare, sot ka rënie nga 25.8% në 10.7% Aso kohe në Kosovë kanë qenë gjithsesi të punësuar 350 mijë qytetarë, ndërkaq sot që po flasim janë 430 mijë”, tha kryeministri.

Sa i përket sundimit të ligjit dhe luftën ndaj korrupsionit, Kurti u shpreh se gjatë mandatit të tij janë arrestuar 300 zyrtarë publikë, mbi 4.5 tonë substanca narkotike janë konfiskuar dhe janë mbyllur 37 rrugë ilegale, 29 prej të cilave vetëm në veriun e vendit.

Gjithashtu, ai përmendi mbylljen e strukturave ilegale serbe në Kosovë, përfshirë komunat paralele, postat dhe institucionet e tjera. Gjithashtu edhe rënien e ndikimit të dy organizatave si  “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallura terroriste.

“Gjithnjë e më shumë qytetarët serbë po bashkëpunojnë me shtetin e Kosovës, 4040 qytetarë të komunitetit serb i kanë dorëzuar targat ilegale të lëshuara nga Serbia dhe janë pajisur me targa zyrtare të Republikës së Kosovës. 6325 qytetarë të komunitetit serb kanë invaliduar patentët shoferët ilegalë të Serbsië dhe janë pajisur me ata zyrtarë të Kosovës dhe pikërisht ky sukses i shtetit tonë të përbashkët edhe në veri të Kosovës e ka rritur nervozen dhe agresivitetin në Beograd”, shtoi Kurti.

Sa i përket politikës së jashtme, ai përmendi aplikimin në Këshillin e Europës, avancimin e statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe aplikimin për anëtarësim në Bashkim Europian si dhe anëtarësimin në 10 organizata ndërkombëtare. Megjithatë, ai pati një përgjigje për kritikat që i shkojnë atij për mungesën e njohjeve të reja.

“Unë e di që jemi kritikuar pse nuk ka njohje të reja. Por duhet të kuptoni edhe një gjë, as liberalizimin e vizave dhe as njohjet e reja si kemi premtuar në fushatë. Në fushatë kemi premtuar punësim dhe drejtësi. Neve duhet të na matni për zotimet që i kemi dhënë në fushatën e vitit 2021 dhe pastaj në programin qeveritar më pastaj”, tha kreu i qeverisë.


Kurti përmendi edhe rritjen e pagës minimale, pensioneve dhe skemat e mbështetjes për bizneset dhe gratë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos