
Rreth 2 800 ushtarakë nga 12 vende europiane do të marrin pjesë në një stërvitje të përbashkët ushtarake në Poloni, nga 9 deri më 22 nëntor, për të testuar gatishmërinë e një force shumëkombëshe që mund të dislokohet në Ukrainë në rast të arritjes së një marrëveshjeje paqeje.
Stërvitja, e quajtur “Exercise Koalicja”, do të drejtohet nga Britania e Madhe dhe Franca dhe do të përfshijë operacione tokësore, detare dhe ajrore. Synimi është të testohet lëvizja, mbrojtja dhe furnizimi i trupave, si dhe koordinimi mes forcave të vendeve pjesëmarrëse.
Sipas zyrtarëve perëndimorë, forca e propozuar nuk do të përfshihet në operacione sulmuese, ruajtjen e paqes apo monitorimin e armëpushimit. Ajo do të synojë të ofrojë garanci sigurie për Ukrainën dhe të ndihmojë në rindërtimin e ushtrisë së saj. Misioni nuk do të jetë nën komandën e NATO-s dhe trupat nuk do të vendosen në vijën e frontit.

Në stërvitje do të marrin pjesë ushtarakë nga Britania, Franca, Belgjika, Estonia, Gjermania, Lituania, Holanda, Polonia, Spanja, Suedia dhe Turqia. Turqia pritet të drejtojë misionin detar, me synimin për çminimin e Detit të Zi dhe rikthimin e lundrimit tregtar.
Rusia ka kundërshtuar më herët praninë e trupave të huaja në Ukrainë, ndërsa presidenti Vladimir Putin i ka cilësuar ato “objektiva legjitime”.
Ende nuk është përcaktuar përbërja përfundimtare e forcës apo rregullat e angazhimit në rast sulmi. SHBA-ja ka marrë pjesë në diskutime, por nuk do të kontribuojë me trupa në këtë mision. (A2 Televizion)