
Kryeministri Edi Rama tha sot se të gjithë ata që punojnë në biznesin e vogël do të marrin një “pagë lufte”, edhe pse jo të gjithë janë të deklaruar në shtet.
“Paga e vetme e deklaruar në shtet nga një biznes i vogël është ajo e kryefamiljarit, që deklarohet në kufijtë e minimales. Rruga më e thjeshtë është që kryefamiljarit t’i japim atë që ka deklaruar dhe me ligjin jemi në rregull. Zakonisht, bashkëshortja deklarohet e vetëpunësuar pa pagë. Ne do të shkojmë përtej kësaj, në mënyrë që të gjitha qelizave familjare të këtij vendi të mos u mungojë e gjitha ajo që ne mund të bëjmë për ta në këtë kohë lufte. Ja pse ne do t’ia japim edhe gruas së kryefamiljarit pagën e luftës. Shteti do t’i japë biznesit të vogël dyfishin e shumës së deklaruar si pagesa në kohë paqeje”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se edhe ndihma ekonomike do të dyfishohet gjatë krizës së koronavirusit: “E dimë që në familjet në nevojë, dikush del e bën edhe ndonjë punë tek-tuk, në të zezë. Prandaj, ne do të shpërndajmë për familjet në ndihmë ekonomike dyfishin e shumës që shpërndajmë në kohë paqeje. Do të përfitojnë rreth 70 000 familje”.
Sipas Ramës, “do të dyfishohet edhe pagesa e papunësisë”.
“Nuk është koha për të parë si llogaritar vetëm ligjin, por për të respektuar edhe zakonin”, tha kryeministri. (A2 Televizion)