Rusia shkëmben sulme me Ukrainën, të dërguarit e Trump zbarkojnë në Moskë për takimin me Putinin

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2026, 07:04 | Bota

Rusia shkëmben sulme me Ukrainën, të dërguarit e Trump

Rusia dhe Ukraina shkëmbyen sulme ndaj kryeqyteteve të njëra-tjetrës në orët e para të së enjtes, një ditë pasi përfunduan bisedimet e paqes dhe pak përpara mbërritjes në Moskë të të dërguarve amerikanë, të cilët do të takohen me presidentin Vladimir Putin.

Kirill Dmitriev, i dërguari i Putinit, mirëpriti negociatorët amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff në një aeroport të Moskës, përpara takimit të tyre me kreun e Kremlinit, që pritet të zhvillohet më vonë gjatë ditës.

“Mirë se erdhët në Moskë, Steve dhe Jared”, shkroi Dmitriev në platformën X, duke publikuar një fotografi ku shihej duke shtrënguar duart me Witkoff pranë një avioni, ndërsa Kushner qëndronte pranë tyre.

Negociatorët rusë dhe ukrainas ranë dakord për një shkëmbim të të burgosurve gjatë dy ditëve të bisedimeve të paqes në Abu Dhabi, të cilat përfunduan të mërkurën. Megjithatë, ndërmjetësuesit amerikanë thanë se vazhdojnë të ekzistojnë mospajtime për çështje madhore, përfshirë ato territoriale.

Kushner ka deklaruar se partnerët evropianë duhet të jenë pjesë e tryezës së negociatave mes Rusisë dhe Ukrainës.

Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi në platformën Telegram se kishte goditur objekte ushtarake dhe energjetike në Ukrainë, si dhe një depo municionesh në kryeqytetin Kiev.

Shpërthime u dëgjuan në Kiev në orët e para të së enjtes, raportoi një dëshmitar i agjencisë Reuters.

Sulmet dëmtuan infrastrukturën energjetike dhe atë civile në rajonin e Rivnes, bëri të ditur një zyrtar lokal përmes platformës Telegram.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos