
Presidenti amerikan, Donald Trump është angazhuar në krijimin e një klime pozitive në marrëdhëniet me Korenë e Veriut përpara samitit të dytë me liderin Kim Jong-un. Me anë të një statusi në “Twitter”, kreu i Shtëpisë së Bardhë thotë se vendi komunist ka potencial të madh për rritje shumë të shpejtë ekonomike.
“Me denuklearizim, Koreja e Veriut shumë shpejt do të shndërrohet në fuqi ekonomike. Pa çarmatosjen bërthamore do të jetë njësoj. Lideri Kim do të marrë një vendim të zgjuar!”, tha Trump.
Ky koment i presidentit amerikan, vjen pasi sekretari i shtetit, Mike Pompeo, e konsideroi Korenë e Veriut një kërcënim bërthamor. Ndërsa lideri suprem është larguar nga vendi për në Vietnam, koreano veriorët shprehën qëndrimin e tyre për takimin me Trump.
“Kur isha në punë dëgjova që lideri ynë është larguar për një vizitë jashtë vendit. Edhe pse sot e kemi pushim, po shkoj në punë për të kënaqur liderin tonë”, tha një zyrtar.
“Sa më shumë të respektojmë liderin tonë, i cili është larguar në një udhëtim tjetër për prosperitetin e atdheut tonë, aq më shumë jemi në dijeni të krenarisë së të pasurit një lider të madh”.
Trump dhe Kim do të takohen për herë të dytë me 27 dhe 28 shkurt në Hanoi të Vietnamit. Kreu i Shtëpisë së Bardhë shpreson që në këtë samit palët të nënshkruajnë një marrëveshje për çarmatosjen bërthamore të Koresë Komuniste, ndërsa Kim kërkon lehtësimin e sanksioneve ndërkombëtare. (A2 Televizion)