
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Uashingtoni ka financim të mjaftueshëm për të vijuar luftën kundër Iranit deri në fund të janarit, duke shtuar se konflikti mund të përfundojë në çdo moment që ai dëshiron.
Në një intervistë për gazetën “New York Post”, të publikuar të martën, Trump kritikoi gjithashtu demokratët në Kongres, duke paralajmëruar se përpjekjet e tyre të mundshme për të kufizuar luftën mund ta kthejnë atë që ai e cilësoi si një fitore të SHBA-së në humbje.
“Ata do të marrin një fitore të plotë dhe do ta kthejnë në humbje”, tha Trump, duke pretenduar se marina, forcat ajrore dhe kapacitetet e mbrojtjes ajrore të Iranit janë shkatërruar, ndërsa udhëheqja e tij është eliminuar.
I pyetur nëse mundësitë ushtarake të administratës së tij mund të kufizohen më shumë kur demokratët të marrin kontrollin e Kongresit në janar, Trump tha se administrata e tij është financiarisht e përgatitur për të vijuar operacionet deri në atë periudhë.
“Deri në fund të janarit, në thelb, ne kemi financim të mjaftueshëm”, tha ai për gazetën.
Trump këmbënguli se Uashingtoni mund t'i japë fund konfliktit në çdo moment, duke deklaruar: “Ne mund ta përfundojmë këtë luftë në çdo kohë që të duam”.
Presidenti amerikan foli gjithashtu për mundësinë e ndryshimit të regjimit në Iran, duke thënë se, megjithëse kjo ishte “ndoshta e realizueshme”, nuk përbënte objektivin e tij kryesor.
“Unë thjesht nuk dua që ata të kenë armë bërthamore. Nuk kam qenë kurrë as pro, as kundër ndryshimit të regjimit. Kjo nuk ka qenë kurrë një kriter për mua”, u shpreh Trump. (A2 Televizion)