21 të ndaluarit në pritje të masave të sigurisë, protestuesit para gjykatës kërkojnë lirimin e tyre

Nga A2 CNN
5 Korrik 2026, 11:21 | Aktualitet

Njëzet e një protestuesit e arrestuar pas përplasjeve me efektivët e Policisë së Shtetit gjatë protestës së 2 korrikut para godinës së Kuvendit janë paraqitur këtë të diel në Gjykatën e Tiranës, ku pritet të shqyrtohen masat e sigurisë ndaj tyre.

Gazetarja e A2 CNN, Ornela Joti, raporton se ende nuk ka nisur seanca, pasi gjyqtari i çështjes po shqyrton dy procese të tjera. Më pas do të vijojë me vlerësimin individual të masave për secilin prej 21 të arrestuarve.

Mbi protestuesit rëndojnë akuza si mosbindje ndaj urdhrit të policisë, prishje e qetësisë publike dhe vepra të tjera penale që lidhen me përplasjet e ndodhura pranë Parlamentit. Prokuroria dhe policia kanë administruar pamje nga kamerat e sigurisë për të përcaktuar rolin e secilit gjatë incidenteve.

Para ambienteve të Gjykatës së Tiranës janë mbledhur mbështetës të të arrestuarve, të cilët kanë kërkuar lirimin e tyre dhe kanë hedhur thirrje kundër qeverisë.

Situata paraqitet e qetë dhe nuk raportohet për prani të shtuar të forcave të policisë, përveç efektivëve të policisë rrugore.

Ndërkohë, vijojnë debatet edhe për gjendjen shëndetësore të njërit prej protestuesve të arrestuar, i cili sipas avokatit vuan nga epilepsia dhe ka pësuar kriza gjatë qëndrimit në paraburgim.

Ministria e Brendshme ka mohuar pretendimet për dhunë, duke deklaruar se atij i është ofruar ndihma mjekësore në Spitalin e Traumës.

Nga ana tjetër, Avokati i Popullit ka zhvilluar verifikime dhe ka kërkuar administrimin e pamjeve të kamerave të sigurisë për të sqaruar pretendimet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos