
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 30 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 8 vijojnë të jenë aktive. Në përditësimin e fundit Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se në operacione janë angazhuar 502 forca operacionale, 54 automjete zjarrfikëse, 110 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe avioni “Air Tractor”.
Operacionet vijojnë në Dajt, Priskë, Çakallesh, Mallakastër, Elbasan dhe Berat. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara, ndërsa strukturat e mbrojtjes civile vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet për shuarjen e vatrave aktive.
Ministria e Mbrojtjes - Informim rreth situatës së zjarreve gjatë 24 orëve të fundit
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 30 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive.
Përmes koordinimit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefekturave, njësive të qeverisjes vendore dhe Forcave të Armatosura - në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar 54 automjete zjarrfikëse dhe 502 forca operacionale, ndërsa në mbështetje janë angazhuar 110 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe avioni “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Në Dajt vijon puna për shuarjen e zjarrit. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Priskë dhe Çakallesh gjithashtu vijojnë operacionet, pa rrezik për komunitetin.
Në Riban, Ngraçan dhe Panahor, bashkia Mallakastër, vijon operacioni për shuarjen e zjarrit në një terren të vështirë. Aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në qarkun Elbasan vijon puna në vatrat e Shqiponjës, malit të Dardhës dhe Mjekësit. Zjarri në Shqiponjë është nën kontroll, ndërsa vatra në malin e Dardhës është izoluar. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Kostren 2, bashkia Berat, vijon puna për shuarjen e vatrës së riaktivizuar, me angazhimin e forcave dhe mjeteve zjarrfikëse.
AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin. (A2 Televizion)