80 vjet nga Masakra në Nikaj-Mërtur, Çelaj: U pushkatuan pa gjyq thjesht pse refuzuan të ulnin kryet para diktatit komunist

Nga A2 CNN
29 Shtator 2026, 11:50 | Aktualitet

80 vjet nga Masakra në Nikaj-Mërtur, Çelaj: U pushkatuan pa

Deputeti i Partisë Demokratike, Isuf Çelaj, ka përkujtuar me rastin e 80-vjetorit të saj, një prej masakrave të regjimit komunist në zonën e Malësisë së Gjakovës pas marrjes së pushtetit.

“Sot bëhen 80 vjet nga një prej faqeve më të dhimbshme e më krenare të historisë së popullit të Malësisë Gjakovës: Masakra e 29 Shtatorit 1946 në Nikaj-Mërtur. Në Ditën e Shën Mëhillit me 29 Shtator 1946 në Kodër të Bekë Selimit në Lekbibaj u pushkatuan pa gjyq Ukë Çuni e Fet Sadiku, dy djem trima e fisnik të kësaj krahine”, shkroi Çelaj në një postim në Facebook.

“Nndërsa vatrat malësore kishin shtruar sofrat e festës dhe gëzimit, regjimi diktatorial komunist zgjodhi të mbjellë terror, gjak e hije mbi popullin e krahinës së qëndresës antikomuniste të Nikaj Mërturit. Festa u përgjak, kullat e malësorëve u dogjën, dhe në vazhdimësi të këtij regjimi gjakatar, me dhjetëra burra e krerë të kësaj krahine e të gjithë Malësisë Gjakovës u pushkatuan pa gjyq apo u nisën rrugëve të kampeve të internimit, thjesht sepse refuzuan të ulin kryet përpara dhunës dhe diktatit komunist. Nikaj-Mërturi pagoi një çmim të lartë për besën, besimin fetar dhe dashurinë për lirinë, por tradita dhe dinjiteti i kësaj treve nuk u thyen kurrë nga asnjë pushtues e regjim”.

“Sot, në këtë 80 vjetor jubile, përkulemi me nderim para kujtimit të të gjithë martirëve dhe familjeve malësore që mbajtën të gjallë frymën e lirisë në ditët më të errëta. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre! Lavdi përjetë në nderim të qëndresës së Nikaj-Mërturit dhe të gjithë Malësisë Gjakovës!”, shtoi deputeti demokrat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos