
Autoritetet shëndetësore dhe ekspertët kombëtarë e ndërkombëtarë kanë sqaruar përmbajtjen dhe qëllimin e udhëzuesit klinik për trajtimin hormonal, duke theksuar se dokumenti synon të orientojë profesionistët e shëndetësisë drejt një kujdesi të standardizuar, etik dhe në përputhje me praktikat më të mira europiane.
Gjatë takimit të grupit të ekspertëve, zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Denada Seferi, deklaroi se procesi i integrimit europian mbështetet në standarde të qarta për mbrojtjen nga diskriminimi, garantimin e të drejtave të njeriut dhe aksesin e barabartë në shërbimet shëndetësore. Sipas saj, këto standarde janë reflektuar në legjislacionin shqiptar dhe në planet kombëtare të veprimit, përfshirë ato që lidhen me mbrojtjen dhe përfshirjen e personave LGBTI.
Nga ana e saj, zv.ministrja Eugena Tomini sqaroi se udhëzuesi klinik i referohet ekskluzivisht personave të rritur dhe nuk parashikon rimbursim apo financim të barnave hormonale nga shteti. Ajo theksoi se dokumenti ka karakter orientues për profesionistët e shëndetësisë dhe synon garantimin e një kujdesi cilësor dhe të standardizuar.
Ndërkohë, shefi i Shërbimit të Endokrinologjisë në QSUT, Agron Ylli, bëri të ditur se gjatë periudhës maj-qershor 2026 nuk është paraqitur asnjë kërkesë për rekomandim apo trajtim hormonal në këtë shërbim.
Përfaqësuesit e Këshillit të Europës në Shqipëri theksuan se procesi mbështetet që prej vitit 2023 dhe zbatohet në përputhje me standardet europiane. Drejtuesja e zyrës së këtij institucioni, Giulia Re, nënvizoi se aksesi në kujdesin shëndetësor të përshtatshëm është një e drejtë themelore dhe se shërbimet duhet të ofrohen pa diskriminim për të gjithë qytetarët.
(A2 Televizion)