Këto pamje mund t’i shihni shpesh në akset rrugore interurbane në Shqipëri. Çdo ditë qindra banorë të zonave përgjatë segmentit Rrogozhinë-Lushnje-Fier, kalojnë karaxhatët e autostradës, për të kaluar nga një skaj në tjetrin. Banorët shprehen se kështu veprojnë dy herë në ditë për te shkuar nga shtëpia në tokat bujqësore dhe anasjelltas. Mbikalimet janë shumë larg sipas tyre, ndërsa nënkalime nuk ka.
Disa ditë me parë, Policia Rrugore në qarkun Fier, ka gjobitur për here të parë këmbësoret në autostradën Lushnje Rrogozhinë me 1000 lekë për kalimin përmes rrugës.
Situata bëhet edhe më problematike edhe për shitësit ambulantë që ushtrojnë aktivitetin buzë rrugëve nacionale. Policia bashkiake ka ndërmarrë disa herë aksione për largimin e tyre, pasi sipas autoriteteve janë burim aksidenti dhe ushtrojnë aktivitet në kushte të pasigurta për jetën.
Sipas Strategjisë Kombëtare të Sigurisë Rrugore, 34% e të gjitha viktimave në aksidentet rrugore gjatë viteve 2021–2024 kanë qenë këmbësorë, një nga përqindjet më të larta në Evropë. (A2 Televizion)