Nis këtë të enjte intervistimi me gojë për kandidatët që garuan për të qenë shef komisariati në Policinë e Shtetit. Fillimisht në garë morën pjesë 290 punonjës të policisë, por pas përfundimit të fazës paraprake, u skualifikuan 16 prej tyre, për shkak të mungesës së dokumentacionit.
Komisioni, i cili është i përbërë nga 3 gra në Policinë e Shtetit, Alma Përmeti, Anisa Duçkollari dhe Ervina Gjana do të bëjnë intervistimet me gojë të aplikantëve, dhe më pas për secilin prej tyre do të vendoset edhe pikëzimi.
Këtë të enjte para Komisionit të Vlerësimit do të dalin 26 kandidatët e parë që do të pyetet secili prej tyre jo më shumë se 20 minuta. Intervistimi i kandidatëve bëhet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe sipas rregullores, kandidati nuk duhet të ketë me vete në dhomën e intervistimit pajisje elektronike, ora inteligjente dhe telefona, por vetëm platformën e tij.
Procesi i intervistimit është parashikuar që të përfundojë në datën 10 Dhjetor.
Aplikantët që do të marrin mbi 70 pikë janë më favoritët për tu përzgjedhur si drejtues për 48 vendet vakante për shef komisariati. Në garë janë edhe 9 gra.
Aplikantët kanë gradat, Nënkomisar, Komisar dhe Kryekomisar. Pas përfundimit të intervistës me gojë, Komisioni i Vlerësimit i dërgon pikëzimin e kandidatëve kryepolicit Proda, i cili më pas bën edhe emërimet sipas përzgjedhjes së më të mirëve.
Sikundër përzgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit apo dhe ajo e drejtuesve të qarqeve e të departamenteve, edhe përzgjedhja për shefa komisariati bëhet për herë të parë me garë. (A2 Televizion)