
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu mori pjesë në homazhet që u mbajtën për nder të efektivit të Policisë së Shtetit Enea Mekolli, i cili mbeti i vrarë të enjten gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim, në Lozhan të Maliqit.
“Humbja e jetës së Dëshmorit të Atdheut, Enea Mekolli është një ngjarje shumë e rëndë, ashtu siç është i rëndë çdo incident që kryhet në funksion të ushtrimit të detyrës, e mbi të gjitha të një detyre kaq fisnike sa mbrojtja, garantimi dhe siguria e rendit publik”, tha Koçiu për gazetarët, përcjell A2 CNN.
“Ngushëllime të gjithë familjarëve, ngushëllime kolegëve të tij, ngushëllime trupës së punonjësve të Policisë së Shtetit. Është një nga ato ngjarje të cilat na bëjnë të reflektojmë thellë mbi sakrificën dhe mbi përgjegjësinë që ushtrimi i kësaj detyre mbart, duke përfshirë aty edhe të gjithë ngarkesën që familjarët, miqtë, kolegët kanë në momente të tilla për çdo punonjës edhe efektiv të Policisë së Shtetit. Ngushëllime të gjithëve, sepse në fakt në këtë ditë është një reflektim për të gjithë shoqërinë për të garantuar akoma më shumë përgjegjësi dhe për të reflektuar akoma më shumë kur vjen puna tek sjellja qytetare dhe patjetër pastaj edhe tek përgjegjësia përpara ligjit”. (A2 Televizion)