"Ishim shokë që në fëmijëri, më mungoi kur u largua", Xhensila rrëfen historinë e dashurisë dhe jetën në SHBA

Nga A2 CNN
14 Korrik 2026, 08:34 | Aktualitet

Xhensila Kërçini, e cila prej tre vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara, ka ndarë në Dita Jonë në A2 CNN historinë e saj të dashurisë me bashkëshortin, sfidat e përshtatjes në Amerikë dhe mallin për Shqipërinë.

Ajo tregoi se lidhja e tyre nisi nga një miqësi e hershme, pasi ishin komshinj dhe luanin bashkë që në fëmijëri.

"Jemi njohur që të vegjël, kemi qenë shokë në një lagje, loznim bashkë. Kur ai u largua për në Amerikë, filloi të më mungonte. Vazhdonim të flisnim si shokë, por me kalimin e kohës e kuptuam se kishim një pëlqim për njëri-tjetrin. Kur ia shprehëm ndjenjat, ishte shumë e lehtë të bëheshim bashkë,"  rrëfeu ajo.

Ajo tregoi se bashkëshorti i saj kishte emigruar në SHBA 15 vite më parë përmes Lotarisë Amerikane, ndërsa Xhensila u transferua pas martesës. Ajo pranoi se ditët e para në Amerikë ishin të vështira.

"Çdo gjë më dukej shumë e madhe, ndërtesat, marketet, edhe gotat. U ndjeva e vetmuar dhe më mungonte familja. Mu deshën rreth dy muaj të përshtatesha me jetën dhe sistemin këtu."

Sipas saj, ndonëse SHBA ofron mundësi të shumta për zhvillim personal dhe profesional, Shqipëria mbetet vendi ku ndihet vërtet në shtëpi.

"Kur vij në Shqipëri ndiej ngrohtësinë, detin, malet dhe familjen. Ende nuk mund të them se ndihem plotësisht në shtëpi në Amerikë."

Xhensila foli edhe për përvojën e lindjes së vajzës së saj, Elois, duke vlerësuar shërbimin spitalor në SHBA, por theksoi se kostot janë shumë të larta për ata që nuk kanë sigurim shëndetësor.

Aktualisht ajo është përkushtuar kujdesit për vajzën, pasi çerdhet në SHBA kanë kosto të lartë.

"Vendosa të kujdesem vetë për vajzën. Kalojmë shumë kohë bashkë dhe jam e lumtur që ajo flet shumë mirë shqip."

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos