Krijohet “Operatori i Shoqërive Shtetërore”, si do mbyllen kompanitë shtetërore në likuidim?

Nga Marjo Brakaj
6 Gusht 2026, 15:13 | Aktualitet

Krijohet “Operatori i Shoqërive Shtetërore”, si do mbyllen

Të gjitha shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, të cilat prej vitesh ndodhen në proces likuidimi, do të mbyllen përmes një ligji të posaçëm. Në Fletoren Zyrtare është botuar ligji “Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim”.

Baza e re ligjore synon mbylljen përfundimtare të këtyre shoqërive, ndërsa asetet e tyre do të transferohen te një shoqëri e vetme tregtare shtetërore.

Janë një sërë shoqërish shtetërore që prej më shumë se 20 vitesh ndodhen në proces likuidimi, siç është rasti i Albbakër sh.a., për të cilën që në vitin 2004 u miratua prishja e shoqërisë dhe u emërua likuidatori i parë.

E njëjta situatë paraqitet edhe për shoqëritë shtetërore Albkrom sh.a., Albminiera sh.a., Prodhim Mobilje sh.a., Petrol Alba sh.a., Duhan-Cigare sh.a., Albkontroll sh.a., Superfosfat Kurbin sh.a., si dhe Qendra e Regjistrimit të Aksioneve.

Megjithëse këto shoqëri kanë detyrime të shumta dhe prej vitesh janë në proces likuidimi, ato zotërojnë edhe pasuri të konsiderueshme, si troje, ndërtesa industriale, fabrika, depo, objekte teknike dhe galeri minerare, të shpërndara në disa qarqe të vendit.

Aksionari i vetëm i shoqërisë së re do të jetë Ministria e Ekonomisë, ndërsa kostot e themelimit dhe kapitali fillestar do të mbulohen nga buxheti i shtetit.

Shoqëria e re do të administrojë të gjitha pasuritë e transferuara dhe do të ketë të drejtë t'i shesë ose t'i japë për privatizim, në përputhje me legjislacionin në fuqi, me qëllim shlyerjen e detyrimeve ndaj kreditorëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos