Pa mundësi ekonomike, Goraj-Budishtë braktiset nga banorët, të rinjtë në emigracion

Nga Indrit Maraku
6 Gusht 2026, 14:00 | Aktualitet

Këta të moshuar janë ndër banorët e paktë që kanë mbetur në fshatin Goraj-Budishtë, në Malësinë e Madhe. Emigrimi masiv i viteve të fundit ka bërë që ky fshat piktoresk, pjesë e njësisë administrative Kastrat, të shpopullohet gradualisht.

Nga mbi 300 banorë që numëronte disa vite më parë, sot nuk jetojnë më shumë se 100, shumica prej tyre të moshës së tretë. Mungesa e shërbimeve dhe e mundësive ekonomike ka detyruar shumë familje të braktisin vendlindjen dhe të emigrojnë drejt shteteve të ndryshme.

Edhe ata pak fëmijë që kanë mbetur në fshat kanë vetëm një ëndërr: që një ditë të emigrojnë.

Shumë të rinj që rikthehen gjatë verës për të vizituar gjyshërit e tyre thonë se fshati po braktiset gjithnjë e më shumë dhe se nuk shohin asnjë mundësi për t’u rikthyer për të jetuar atje, shkruan A2CNN. 

Famullitari i Kastratit, atë Gazmend Tinaj, tregon se shumë shtëpi janë mbuluar nga barishtet si pasojë e braktisjes. Arsyeja kryesore e emigrimit mbetet gjendja ekonomike.

Edhe pse ndodhet jo më shumë se 40 minuta larg Shkodrës, Goraj-Budishta kalon pjesën më të madhe të vitit në heshtje, për shkak të mungesës së të rinjve. Dy shkollat e fshatit janë mbyllur prej vitesh, ndërsa godinat e tyre janë amortizuar.

Fëmijët e paktë që jetojnë ende aty udhëtojnë çdo ditë drejt Zagorës, rreth 15 minuta larg me makinë, për të ndjekur mësimin në klasa kolektive. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos