Kupa e Botës prej balte, realizimi i veçantë i poçarit Erlind Fusha, për të cilën iu deshën 33 ditë pune

Nga A2 CNN
17 Korrik 2026, 09:14 | Aktualitet

Poçari Erlind Fusha ka prezantuar për herë të parë në Dita Jonë në A2 CNN një kopje të Kupës së Botës të realizuar tërësisht në baltë, një vepër që sipas tij i është dashur 33 ditë punë për ta përfunduar.

Fusha tregoi në A2 CNN se ideja i lindi pas sfidave dhe komenteve të ndjekësve të tij në TikTok, të cilët e nxitën të provonte të realizonte trofeun e famshëm. Fillimisht ai nisi punën si një vazo të frymëzuar nga kupa, por më pas vendosi ta riprodhonte atë.

“Faktikisht ideja lindi nga bisedat që kisha me ndjekësit e mi në TikTok. Edhe ato po ngacmonin. Domethënë mund ta bësh kupën, e bën s'e bën. Edhe ok thashë. E mora e mora si sfidë, se as skicë nuk e kisha realizuar ndonjëherë. Edhe fillova hapa bllokun po bëja skicat Edhe thashë po e provoj, s'po e bëj kupën. Nuk po bëj kupën, po bëj një vazo që t'i ngjaj kupës. Edhe por momenti që fillova duke realizuar vazon, të gjithë po më thonin, jo po është pak e shëndoshë, jo po është pak proporcionale. Edhe thashë ok, tani këta e kuptojnë që unë s'po bëj kupën e vërtetë. nga aty pastaj mora një dërrasë në dorë, fillova duke i rënë vazos që t'i jepja formën e kësaj pak nga pak nga pak për 33 ditë e përfundova të gjithë procesi dhe rreth dy orë punë në ditë mesatarisht”.

Sipas tij, pjesët më të vështira ishin detajet e imta dhe shkronjat e trofeut. Vepra peshon rreth 5-6 kilogramë dhe është ende e freskët, pasi është përfunduar vetëm pak ditë më parë.

“Problematika vjen tek shkronjat. Jo nga ana që unë s'i realizoj dot, por pjesa e nxjerrjes së kallëpit, se ka momente që mund të detyrohesh që t'i punosh në Allçi, kur i punon në baltë është më kollaj. Shkronjat një dhe harta dy, janë pjesa më e bezdisshme. Ajo pjesa e valëve të detit është shumë e gjetur nga ana e skulptorit gjithmonë se unë kam kopjuar atë që ka realizuar skulptori. Është me vërtetë shumë e gjetur se edhe unë në fillim nuk i kisha hyrë kurrë Kupës së Botës duke e parë me kaq detaje dhe mendoja që kishte katër figura, jo dy edhe kur e kam parë që ka dy. Kjo qenka simetrike thashë paska një këtej një këtej dhe mund të vazhdoj”, tregoi ai në A2 CNN.

Poçari tha se vlera reale e punimit është mbi 500 mijë lekë të vjetra, ndërsa bëri të ditur se po punon edhe për modele të tjera, pasi kërkesa për këtë realizim është rritur.

“Për ndjekësit kam lënë një çmim rreth 200 mijë lekë të vjetra, poshtë atij çmimi nuk negocioj e qartë. Ndërsa si çmim real e ka mbi 500-600 mijë lekë të vjetra. Sepse është një punë me vërtetë kolosale”, theksoi ai.

Erlind Fusha rrëfeu se vjen nga një familje me mbi 600 vjet traditë në poçari, ndërsa fshati Farkë, prej nga është origjina e tij, njihet për një histori edhe më të hershme në zejet tradicionale. Ai tregoi se objektin e parë prej balte e krijoi në moshën katërvjeçare, ndërsa produktet e para i shiti kur ishte vetëm shtatë vjeç.

Ai ka përfunduar studimet në Liceun Artistik dhe më pas studimet universitare e masterin në fushën e skulpturës dhe qeramikës, duke vijuar sot të ushtrojë profesionin dhe të përcjellë traditën tek brezat e rinj.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos