Çmimet e larta zbrazin privatët në Vlorë, pushuesit dhe turistët e huaj dynden në plazhet publike

Nga Edi Ruçi
28 Qershor 2026, 13:21 | Aktualitet

Çmimet e larta në plazhet private po dyndin hapësirat publike në Vlorë. Pushues vendas, pensionistë dhe turistë të huaj po zgjedhin zonat falas për të kaluar pushimet, ndërsa kërkesa ndaj bashkisë për më shumë hapësira publike mbetet e lartë.

Me nisjen e sezonit turistik, dhjetëra qytetarë dhe pushues vendas po zgjedhin të kalojnë pushimet në plazhet publike falas të Vlorës. Për shumë pensionistë dhe familje, çmimet e çadrave dhe shezlongëve në plazhet private mbeten të papërballueshme, ndaj hapësirat publike janë alternativa e vetme për të shijuar detin gjatë verës.

Plazhet publike mbushen që në orët e para të mëngjesit, ndërsa në shumë zona private numri i pushuesve është dukshëm më i ulët.

Pushuesit kërkojnë më shumë hapësira publike, duke theksuar se kostot e larta të pushimeve nuk ua lejojnë të frekuentojnë plazhet me pagesë.

Krahas qytetarëve vendas, këto plazhe frekuentohen edhe nga turistë të huaj, të cilët e vlerësojnë mundësinë për të pushuar pranë detit pa kosto shtesë për çadrat dhe shezlongët.

"Vij nga Finlanda. Më pëlqen shumë këtu. Është një vend i bukur dhe fakti që plazhi është falas është një avantazh i madh. Jam shumë e kënaqur”, shprehet një vajzë.

“Jam nga Finlanda. Më pëlqen shumë ky vend. Kam ardhur me katër fëmijët e mi. Uji është i pastër, ushqimi është i mirë dhe plazhi falas është një arsye më shumë për ta zgjedhur. Patjetër që do të rikthehemi”, thotë një djalë.

Në të gjithë vijën bregdetare të Vlorës janë krijuar dy hapësira publike falas në Lungomare, të pajisura me 150 çadra dhe 300 shezlongë, në dispozicion të banorëve dhe turistëve.

Plazhe publike pa shezlongë gjenden gjithashtu në Zvërnec dhe në Plazhin e Vjetër.

Megjithatë, krahasuar me sipërfaqet e administruara nga subjektet private, hapësirat publike mbeten të kufizuara, ndërsa kërkesa për to vijon të jetë e lartë gjatë gjithë sezonit veror (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos