Anafilaksia është një reagim alergjik i menjëhershëm dhe potencialisht i rrezikshëm, që mund të prekë disa sisteme të organizmit njëkohësisht. Kështu u shpreh mjekja alergologe Maria Zoto në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN, teksa shpjegoi simptomat dhe faktorët që e shkaktojnë këtë gjendje.
Sipas Zotës, anafilaksia manifestohet më së shumti me shenja në lëkurë, si skuqje, kruarje dhe ënjtje, por mund të shoqërohet edhe me vështirësi në frymëmarrje, kollë, dhimbje barku, të vjella dhe në rastet më të rënda me rënie të tensionit arterial.
“Anafilaksi do të thotë një reagim i menjëhershëm, që prek disa sisteme të trupit, që në shumicën e rastit manifestohet me shenja në lëkurë, skuqje, krruarje, ndoshta edhe ënjtje, që mund shoqërohet me vështirësi në frymëmarrje, kollë, apo me prekje të traktit gastrointenstinal, dhimbje barku, të vjella, apo deri në rënie të tensionit, që bëhet ajo situata më e rrezikshme. Ky efekt mund të jepet nga 20 minuta deri në 2 orë nga kontakti me një faktor alergjik, si pickimi, apo një ushqim që dikush ka alergji. Çdo ushqim që ka dikush alergji mund t’i shkaktojë të gjitha këto së bashku. Më të zakonshmet në fëmijëri janë qumështi, veza, të cilat zakonisht kalojnë. Duke u rritur mund të fitohen rrugës, alergjia nga frutat e thata, arrorët, lajthia, bajamja, frutat e detit, peshku, kam filluar të kem raste të shtuara me susamin”, shprehet ajo. (A2 Televizion)