
Kontrolli i produkteve ushqimore në përgjithësi dhe atyre bujqësore në veçanti për përmbajtje të lartë me pesticide, do të jenë fokus i punës së inspektoriateve. Paralajmërimin e ka dhënë vetë kryeinspektori, Dashnor Sula.
Inspektori i Përgjithshëm Dashnor Sula ka deklaruar nga Fieri, ku mblodhi në një takim inspektoriatet vendore, se garantimi i cilësisë së produkteve ushqimore duke filluar nga ato bujqësore dhe blegtorale do të jetë fokus kryesor i punës së AKU në këtë qark, duke qenë se prodhimet bujqësore të kësaj zone shpërndahen thuajse në të gjithë vendin.
Gjithashtu kryeinspektori Sula ka deklaruar se brenda 3 muajve do të identifikohen edhe do të merren masat për të ndaluar ndotjen e mjedisit dhe ujërave.
Sipas Sulës ristrukturimi total i inspektoriateve dhe shkrirja mes tyre do të bëjë që kontrollet të jenë jo vetëm të vazhdueshme por edhe të paanshme dhe efikase. (A2 Televizion)