Në prag të 135-vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe të vashave në Korçë, godina pritet ti nënshtrohet restaurimit për ta shpëtuar fizikisht dhe me synimin për ta kthyer në një muze. Edhe pse është monument kulture i mbrojtur nga shteti, objekti është privatizuar nga komuniteti i kishës ungjillore, e cila do të bëjë edhe financimin për restaurimin e saj.
E shpallur monument kulture mbi gjysmë shekulli më parë, godina e shkollës së parë të vashave në Korçë një prej monumenteve që kanë shënuar përpjekjet e para për mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe, nuk ka parë asnjë përkujdesje nga shteti të paktën për të shpëtuar godinën. Por me sa duket tashmë këtij objekti duket se i është ngjallur një rreze shprese jo vetëm për ta shpëtuar por edhe për ta kthyer në një muze që të tregojë historikun e saj.
Dhe kjo shpresë po vjen nga komuniteti i kishës ungjillore, të cilët e kanë privatizuar objektin dhe kanë nisur hartimin e projektit për shpëtimin, restaurimin dhe kthimin e saj në një muze.
Jashtë kamerës përfaqësues të drejtorisë rajonale të trashëgimisë kulturore në Korçë janë shprehur se angazhimi i tyre do të jetë thjesht në miratimin e projektit duke ruajtur karakteristikat e fasadës dhe godinës. Ndërsa mbetet për t’u parë nëse muzeu që pritet të hapet do të jetë për hapjen e shkollë së parë shqipe të vashave, apo një miksim me aktivitetin e kishës ungjillore në qytetin e Korçës që në fundin e viteve 1800 e në vazhdim.
Pasi dihet që godina e shkollës së vashave është përdorur edhe për meshat dhe aktivitetin e kishës ungjillore. (A2 Televizion)