“Rrezikova jetën, por nuk e mendova”, polici nga Pogradeci shpëton shkodranen

Nga A2 CNN
23 Mars 2026, 08:39 | Aktualitet

Policët të cilët i shpëtuan një grua 59-vjeçare, e cila tentoi t’i japë fund jetës duke u hedhur në lumin Buna, kanë rrëfyer në Dita Jonë në A2 CNN momentet kur u përballën me rrezikun dhe shmangien e ngjarjes së rëndë.

Sipas efektivëve, alarmi u dha nga një qytetar, i cili njoftoi sallën operative se një person po mbytej në lumin Buna. Menjëherë pas njoftimit, patrullat u organizuan për të mbuluar një territor sa më të gjerë përgjatë lumit.

Një nga policët, Erixhon Senko, me origjinë nga Pogradeci, rrëfeu në A2 CNN momentin dramatik, ku theksoi se nuk e mori fare parasysh rrezikun.

“E pashë zonjën në ujë dhe nuk mendova gjatë. U hodha menjëherë për ta shpëtuar. Nuk e mora parasysh rrezikun”, tregoi ai në A2 CNN

Efektivët arritën ta nxjerrin gruan nga uji në gjendje të pavetëdijshme dhe i dhanë ndihmën e parë në vendngjarje, duke e mbuluar për ta ngrohur, deri në mbërritjen e ambulancës.

“Humanizmi është pjesë e punës sonë. Nuk menduam për asgjë tjetër, vetëm për t’i shpëtuar jetën,” u shprehën ata.

Më pas, 59-vjeçarja u transportua në spitalin e Shkodrës, ku sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe në gjendje të stabilizuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos