Gjatë sezonit veror shumë pacientë vazhdojnë të besojnë se zhytja në rërën e nxehtë, apo banjat termale janë zgjidhja më e mirë për lehtësimin e dhimbjeve reumatizmale. Për fizioterapistin Eduard Abedini ky është një nga gabimet më të zakonshme, tha ai në Dita Jonë në A2 CNN.
“Në qoftë se ne kemi një sëmundje reumatizmale, ose një inflamacion në trup, inflamacioni është një skuqje. Domethënë praktikisht ti ke një nxehtësi diku. Ajo është e nxehtë. Dhe çfarë bëjmë neve? Zhytemi te ajo rëra që është po e nxehtë. Dhe çfarë bëjmë? I hedhim benzinë zjarrit. Brezat e tretë domethënë përgjithësisht kanë këtë tendencën që të futen ose të përdorin shumë të ngrohtin, të nxehtin ose të futen te kjo rëra. Për momentin krijohet një vazodilatacion, një zgjerim i vazave dhe ka një qarkullim të mirë gjakut dhe për momentin, për momentin ndihet mirë, ndërkohë po e kthen, po e shton, shtohet inflamacioni, irritohet komplet zona, të shtohen dhimbjet, nuk ke më lëvizjen siç duhet”.
Fizioterapisti shpjegoi se edhe pse nxehtësia mund të japë një ndjesi të përkohshme lehtësimi, ajo në fakt rrit inflamacionin dhe mund të përkeqësojë dhimbjet. Ai rekomandon përdorimin e akullit sipas protokolleve mjekësore.
“Ndërkohë akulli ose i ftohti, e vendosim në zonën që kemi problemin dhe logjika na çon që pjesa e një nxehtësie të lartë me akull ulet inflamacioni. Në zonën që ne e kemi vendosur akullin nuk kalon fare gjak, nuk kemi fare oksigjen. Po për ato 12 deri në 15 minuta që lejohet me protokoll për t'u vendosur akulli nuk i kemi këtë oksigjenim, por zonën e kemi ftohur, e kemi freskuar. Pasi e heqim akullin tek ajo zonë katër ose pesëfishohet qarkullimi i gjakut dhe e kuptojmë se sa mirë na bën akulli në krahasim me këtë zhytjen në rërë. Stop zhytjes në rërë është gabimi më i madh që mund të bëni. Vendosni akull”, tha ai në Dita Jonë.
Abedini shtoi se edhe banjat termale nuk janë gjithmonë të përshtatshme, sidomos gjatë temperaturave të larta të verës, pasi mund të krijojnë rreziqe për pacientët me probleme reumatizmale.
Sa i përket aktivitetit fizik, ai rekomandon ecje të lehtë në breg të detit ose në ujë deri në nivelin e gjunjëve, por pa e tepruar me kohën dhe ngarkesën fizike.
Në studion e Dita Jonë në A2 CNN, ai theksoi se pacientët me reumatizëm nuk duhet të vetëkurohen, por fillimisht duhet të konsultohen me një mjek reumatolog për të vendosur diagnozën e saktë.
“Ka shumë patologji që ngjajnë me njëra-tjetrën. Mund të mendosh se ke një spondoliartrozë të lehtë, ndërkohë që problemi mund të jetë shumë më serioz. Nëse nuk trajtohet në kohë, mund të dëmtojë nyjet, veshkat, madje edhe zemrën”, u shpreh ai.
Fizioterapisti theksoi gjithashtu se gratë preken më shpesh nga sëmundjet reumatizmale, ndërsa raste të tilla mund të shfaqen edhe te fëmijët. Ai tregoi se pacienti më i vogël që ka trajtuar ishte vetëm 9 vjeç.
(A2 Televizion)