
Disa granata të ndryshkura dhe dy armë të mbuluara me rrobë janë konstatuar në anën e rrugës së plazhit të vjetër në Vlorë.
Në zonën që shkon në drejtim të Zvërnecit tek Kanali i Motorit një qytetare ka parë armët dhe granatat anës rrugës.
Ato janë në një prej akseve rrugore më të frekuentuara në qytet dhe kanë dalë në pjesën anësore të rrugës.

Elizabeta Shehaj, qytetarja e cila ka zbuluar armët në shesh tregon për A2 CNN se ka qenë duke kaluar kur ka shkelur njërën prej tyre, e cila fatmirësisht nuk ka shpërthyer.
Shehaj thotë se i ka gjetur në pjesën anësore të rrugës. Fillimisht tregon se nuk ka ditur çfarë janë ato, por pastaj kur e ka kuptuar nuk ka ditur si të veprojë.
Në vendin e ngjarjes sapo kanë mbërritur dhe efektivët e policisë së Vlorës.
(A2 Televizion)