Në një sipërfaqe prej 6 hektarësh, në ish-zonën ushtarake të Farkës në Tiranë, vendi do të ketë një qendër panairesh, shkruan A2 CNN. “Expo Business Albania” do të jetë një hapësirë e dedikuar për evenimente, panaire, koncerte dhe takime, njëherazi edhe si strukture akomoduese pasi parashikohet të ndërtohen edhe hotele me 3 apo 4 yje.
“Ajo do të jetë qendra më e rëndësishme e panaireve dhe ekspozitave në Ballkan dhe do ta vendosë Shqipërinë në hartën e një industrie me rritje të shpejtë: atë të panaireve dhe ekspozitave. Industria e panaireve dhe ekspozitave përfaqëson sot një treg me vlerë dhjetëra miliardë euro dhe rreth 35 mijë evente në vit, që rritet me shpejtësi, madje trefish më shumë se pesë vite më parë”, tha Blendi Gonxhja, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Ministri Gonxhja tregoi edhe mbi formulën me anë të së cilës pronat shtetërore do t’i jepen privatit në këmbim të zyrtare për administratën publike.
“Projekte të shumta të AIC, përfshirë megaprojektin për të ofruar një ambient të ri dhe dinjitoz për 22 institucione dhe mbi 10 mijë punonjës të administratës, gëzojnë suport të plotë nga Ministria jonë. MEKI do të vijojë të nxisë transformimin e zonave të braktisura në qendra zhvillimi, përmes partneritetit publik-privat dhe do të mbështesë përzgjedhjen e partnerëve të përshtatshëm, përmes garave të suksesshme ndërkombëtare.”
Nga konferenca dedikuar “Expo Business Albania”, ministri Gonxhja tha se deri në fund të vitit pritet që vendin ta vizitojnë 13 milionë pushues të huaj. (A2 Televizion)