Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj shpjegoi në një konferencë për mediat pse ka pezulluar drejtuesit e policisë së Durrësit, pas aksidentit tragjik në Spitallë, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i platosur rëndë.
“Ishte një ngjarje shumë e rëndë, që ka tronditur gjithë opinionin publik dhe, njëkohësisht, edhe mua personalisht. Pezullimi i punonjësve të policisë lidhet me verifikimin që po kryen Drejtoria e Standardeve Profesionale, për të parë hap pas hapi të gjithë procedurën dhe mënyrën se si kanë vepruar punonjësit e policisë në atë zonë, si edhe për të nxjerrë mësime që do të shërbejnë për rritjen e sigurisë rrugore në komunitet”, tha Hitaj, përcjell A2 CNN.
“Ende nuk kemi dalë në një përfundim mbi rezultatet e hetimit të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe hetimi administrativ vazhdon. Njëkohësisht vazhdon edhe hetimi penal”.
Një ditë pas aksidentit, u pezulluan nga detyra, për performancë të dobët në përmbushjen e detyrave: Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues Afrim Tafa; zëvendësdrejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike të DVP Durrës, Kryekomisar Zija Sulaj; shefi i Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës, Kryekomisar Kreshnik Skëndo.
Dy ditë më vonë, më 6 maj, Hitaj firmosi edhe shkarkimin e Tafës. (A2 Televizion)