Detajet e operacionit të SPAK, 11 shqiptarë mes të arrestuarve, sekuestrohen biznese, llogari dhe qindra mijëra euro cash

Nga A2 CNN
26 Maj 2026, 12:25 | Kronikë

Detajet e operacionit të SPAK, 11 shqiptarë mes të arrestuarve,

Prokuroria e Posaçme ka publikuar detajet e operacionit të zhvilluar në bashkëpunim me Antimafian e Barit, kundër një grupi të strukturuar kriminal, që vepronte në fushën e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave.

“Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Drejtoria Distriktuale Antimafia e Barit (DDA) zhvilluan mëngjesin e sotëm një operacion të përbashkët dhe të gjerë në kuadër të hetimeve ndërkombëtare në Shqipëri dhe Itali, i realizuar nga Skuadra e Përbashkët hetimore, e ngritur më mbështetjen e Eurojust. Hetimet u përqendruan në zbulimin e vrasjes së Francesco Diviesti-t, ngjarje e ndodhur më 25 Prill të vitit 2025, në Canosa di Puglia, në jug të Italisë dhe të një organizate kriminale shqiptare, me bazë në Tiranë, të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e produkteve të veprës penale, nga Italia në Shqipëri”, thotë SPAK, përcjell A2 CNN.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar 10 masa sigurimi personal, ndërsa 5 të tjera janë lëshuar nga autoritetet gjyqësore italiane. Këto masa janë vendosur ndaj 11 shtetasve shqiptarë, 4 italianë, (përfshirë 4 gra, të vendosura nën masën e arrestit në shtëpi dhe detyrim paraqitje). Masat u ekzekutuan në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar në Tiranë, Fier, Vlorë (Shqipëri), në Barletta, në burgun e Romës dhe Agnani, (Itali) si dhe në Madrid (Spanjë).

Veprat penale për të cilat akuzohen pjesëtarët e grupit:

Vrasje me paramendim, e kryer duke përdorur metoda mafioze të ekzekutimit

Tentativë zhvatjeje;

Posedim dhe mbajtje e paligjshme e armëve të zjarrit dhe municioneve;

Favorizim personal;

Shkelje të masave parandaluese personale;

Pastrim ndërkombëtar i produkteve të veprës penale nga Italia në Shqipëri

“Në masën paraprake të lëshuar nga Gjykata e Barit është konfirmuar qëndrueshmëria e provave ndaj tre personave, të hetuar si ekzekutorë material krimit të kryer ndaj Francesco Diviestit; një shqiptar (autori) dhe dy italianë nga Barleta, një burrë dhe një grua, që ndihmuan në fshehjen e gjurmëve të krimit duke mos e raportuar atë tek autoritetet gjyqësore”, tha SPAK.

Ekzekutimi i Francesco Diviesti-t më 25 prill 2025

Hetimet zbuluan se në mbrëmjen e datës 25 prill 2025, Francesco Diviesti u përfshi në një konflikt, në një bar të Barletta-s dhe u dërgua brenda disa shpellave, pranë një zonë të izoluar në Murgia-n e sipërme, në Casosa di Puglia, ku është qëlluar 5 herë nga dy pistoleta dhe më pas, i është vënë flaka brenda disa gomave, me qëllim që kufoma të digjej, sipas një metode të përdorur në vitet ’90, në këtë zonë.

Duke iu referuar kësaj mënyre të ekzekutimi, hetimi u mor përsipër nga Drejtoria Antimafia e Barit, duke lokalizuar kufomën brenda katër ditëve. Më 25 Qershor, shtetasi shqiptar i përfshirë në krim, i cili ishte larguar dy ditë pas ekzekutimit të Diviesti-t, u arrestua në qytetin Roshe të Hungarisë, jo për vrasje, por për posedim të 24 kilogramëve kokainë të pastër, në kuadër të procedimit të Prokurorisë së Tranit. Drejtoria Antimafia e Barit i kishte dërguar provat kësaj Prokurorie për të bërë të mundur arrestimin e tij për këtë krim.  Në të njëjtën kohë, tek familjarë të tij u sekuestruan mbi 412.000 euro ‘cash’ si dhe u dokumentua përfshirja e tre shtetasve italianë në këtë çështje penale në hetim.

Rindërtimi i vrasjes së Diviesti-t dhe identifikimi i grupit kriminal të përfshirë në pastrimin e produkteve të veprës penale u bë i mundur falë një hetimi më të gjerë ndaj shtetasve shqiptarë të vendosur në Puglia, të zhvilluar nga Drejtoria Hetimore Antimafia e Barit, nën drejtimin dhe koordinimin e Drejtorisë Antimafia të Barit, në kuadër të trafiqeve ndërkombëtare të drogës nga Shqipëria në Puglia.

Sekuestrimet

Lidhur më shtetasit e hetuar, GJKKO ka caktuar gjithashtu edhe sekuestron preventive për 4 shoqëri tregtare, 8 automjete, 10 llogari bankare dhe shumën prej 680.595 euro, të cilat u sekuestruan nga Policia e Shtetit në 14 Nëntor 2024 në Pikën e Kalimit Kufitar të Muriqanit, pas informacionit të marrë nga Qendra Operative DIA, Bari.

Operacioni i sotëm është pjesë e një projekti hetimor shumëvjeçar mes SPAK dhe DDA-së të Barit kundër trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës, të menaxhuara nga organizata kriminale shqiptare dhe pason operacionet: Shefi, Kulmi, Shpirti, Ura.

Nga viti 2018 deri në 2025, këto operacione kanë çuar në vendosjen e 170 masave të sigurisë, sekuestrimin e pasurive në vlerën e miliona eurove dhe kapjen e mbi 7 tonëve drogë (kokainë, heroinë, kanabis).  Në shkallë të ndryshme të gjykimit janë vendosur dënime deri në 20 vjet heqje lirie për secilin të pandehur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos