
Lirim Fejzollari ka dëshmuar këtë të hënë në gjyq në çështjen “Buka”, në të cilën ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj po gjykohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, e dyshuar si e kryer gjatë procedurës së privatizimit të ish-ndërmarrjes shtetërore, shkruan A2 CNN.
“Për privatizimin e "Buka sha" janë kryer të gjitha procedurat e nevojshme. Unë kam qene aksioner dhe më parë, kur ishte edhe 52 % shtet edhe 48 % privat dhe u futa dhe në ankand. Unë kam marrë aksione nga disa qytetare dhe shoqëri dhe kam arritur deri tek 40% e pjesës private. Aksionet i kam blerë nga individë dhe kompani, që i kishin këto aksione”, deklaroi Fejzollari, raporton A2.
Ai tregoi edhe lidhjet dhe njohjet e tij me Arben Ahmetajn. “E njoh si person publik. Në mënyrë zyrtare jam takuar me të në periudhën 2018-2019. Ishte ministër. Ne kishim probleme me industrinë, për çështjen e pullave fiskale. Jam vënë në dijeni shumë më vonë me një vendim të Gjykatës Administratives për pezullim të procedurave të ankandit” tha Fejzollari.
“Në lidhje me "Buka.sha" jam takuar me familjen Myderizi. Nuk i njihja. Në takim më thanë disa pretendime, që as nuk i kuptova. Ndërsa familjen Piciri i kam takuar disa herë. Kam biseduar shumë qetë me ta. Unë nuk i kuptoj këto kthimet e pronave. Ju kam thënë, keni gjykatat, kërkojini tek institucionet shtetërore”.
I pyetur nga prokurori për të dhënë shpjegime për një mesazh në telefonin e tij ku shkruhej “Më telefono pak. Arben Ahmetaj jam”, Fejzollari tha: “Duhet të ketë qenë në fazën e pullave fiskale, diskutimet që bënim”.
Edhe për një mesazh dërguar nga ai drejt Ahmetajt në 23 shkurt 2020, ku i shkruante “Përshëndetje Arben! Si i ke mundësitë për t'u takuar këtë javë?”, Fejzollari tha të njëjtën përgjigje: “Siç e thashë, kishim problemet me pullat. Por ky takim nuk i realizua”. (A2 Televizion)