
Një ngjarje e rëndë u shënua pasditen e sotme në lagjen nr. 13 të qytetit të Korçës, ku një 70-vjeçar humbi jetën si pasojë e flakëve që përfshinë banesën e tij.
Viktima është Urim Hysolli, rreth 70 vjeç, i njohur nga banorët e zonës si person me probleme të varësisë nga alkooli. Sipas informacioneve paraprake, ai ishte rikthyer prej pak javësh në apartamentin e tij, të cilin e kishte dhënë me qira prej rreth 10 vitesh, duke jetuar së bashku me qiramarrësit.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se disa ditë më parë, në gjendje të dehur, 70-vjeçari kishte tentuar t'i vinte zjarrin banesës, por flakët ishin shuar në kohë nga qiramarrësi.
Edhe këtë pasdite dyshohet se ai i ka vënë sërish zjarrin banesës, ndërsa flakët janë përhapur me shpejtësi në të gjithë apartamentin, shkruan A2.
Megjithëse në vendngjarje mbërritën në kohë rekord shërbimet zjarrfikëse dhe policia, nuk ishte e mundur shpëtimi i të moshuarit, i cili dyshohet se ka humbur jetën nga asfiksia.
Forcat zjarrfikëse vijojnë ende punën për shuarjen e plotë të flakëve, ndërsa për arsye sigurie janë evakuuar të gjithë banorët e pallatit.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe po merr në pyetje banorët e pallatit, si dhe qiramarrësit, për të sqaruar se çfarë ka ndodhur në momentet para rënies së zjarrit.
Korçë/Informacion paraprak
Rreth orës 15:45, në lagjen nr. 15, Korçë, në katin e parë të një pallati, dyshohet se ka rënë zjarr në banesën e shtetasit U. H., rreth 72 vjeç.
Si pasojë e asfiksisë, ka ndërruar jetë shtetasi U. H., i cili ndodhej në banesë.
Shërbimet e Policisë dhe ato të zjarrfikëses ndodhen në vendngjarje dhe po bëjnë evakuimin e banorëve të pallatit, si dhe shuarjen e zjarrit.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të rënies së zjarrit. (A2 Televizion)