Kapen hajdutët e kafes, vodhën 40 mijë kg nga subjekti ku punonin

Nga A2 CNN
23 Prill 2026, 09:39 | Kronikë

Dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është marrë nën hetim pasi akuzohen për vjedhjen e 40 mijë kilogramëve kafe, nga subjekti ku ishin të punësuar, raporton A2 CNN. Nga kjo veprimtari kriminale e kryer përgjatë 3 viteve, 3 shtetasit dyshohet se kanë përfituar 800 000 euro, njoftoi policia.

“Si rezultat i veprimeve operacionale të kryera mbi kallëzimin e administratores së një subjekti në fushën e prodhimit/tregtimit të kafesë, se kishte konstatuar vjedhjen e një sasie të madhe produkti, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin e koduar “Inventari”.

Si rezultat i operacionit: -u vunë në pranga shtetasit A. K., 35 vjeç dhe V. K., 29 vjeçe, magazinierë në këtë subjekt; -nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. B., 29 vjeç, shpërndarës”, njoftuan autoritetet.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrat, gjatë një periudhe trevjeçare, kanë vjedhur 40 000 kilogramë kafe, nga shitja e së cilës kanë përfituar 800 000 euro.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos