Hita nis Operacionin "fshesa", ndryshime të shumta në Polici, Alban Dautaj drejtor i Operacionales

Nga Igli Çelmeta
22 Prill 2026, 19:48 | Kronikë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka ndërmarrë një seri ndryshimesh në strukturat drejtuese të policisë, duke prekur disa nga postet kyçe në vend.

Burime për A2 CNN bëjnë me dije se nga detyra është larguar drejtori i Operacionales, Melsi Koçi. Drejtimin e Operacionales, një sektor shumë i rëndësishëm në polici do ta marrë Alban Dautaj, aktualisht në krye të strukturës së Antiterrorit. Pas këtij transferimi, drejtimin e Antiterrorit do ta marrë Edmond Sula.

Ndryshimet nuk ndalen këtu. Mësohet se janë firmosur edhe urdhra të tjerë që prekin nëndrejtorë qarqesh dhe shefa komisariatesh, të cilët pritet të bëhen publikë në vijim.

Në kuadër të këtyre lëvizjeve, Besmir Dervishi është larguar nga posti i nëndrejtorit të Policisë së Tiranës dhe është emëruar shef i Krimeve në Kukës. Ndërkohë, Oliger Torba është caktuar nëndrejtor për Krimet në Policinë e Tiranës. Më parë Torba ishte komanduar drejtor në Fier, ndërkohë burime jozyrtare bëjnë me dije se drejtimin e këtij qarku pritet ta marrë Erjon Ahmeti.

Alfred Cenaj emerohet shef i komisariatit nr.2. Gerald Toska shef i komisariatit Fier. Dritan Muça do të jetë zv.drejtor Krimi në Vlorë ndërsa Dritan Malaj zv.drejtor Krimi në Berat. 

Gjithashtu, drejtori i Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Gent Ndoj, është transferuar në Dibër. Ndryshime ka pasur edhe në nivel komisariatesh, ku është larguar shefi i Komisariatit nr. 2, Ermal Kenaçi, i cili është transferuar në Kukës.

Lëvizje janë regjistruar edhe në Elbasan, ku është larguar zv/drejtori Krenar Guce. Ndërsa Petrit Halo është emëruar zv/drejtor për Krimet në Shkodër. Këto ndryshime vijnë tri javë pasi Hita mori detyrën si kryepolic, ndërsa pritet që në ditët në vijim të zbardhen edhe vendime të tjera.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos