Avokati Alban Duraj, duke iu referuar plagosjes në Kamëz të një 17-vjeçari nga shoku i tij 19-vjeçar, tregoi se si të rinjtë arrijnë të kenë një armë në zotërimin e tyre.
“Trafiku i armëve është një nga trafiqet që këtu është shumë i zhvilluar, pavarësisht punës së Policisë së Shtetit apo organeve të tjera ligjzbatuese, në bashkëpunim edhe me organet e tjera të cilat janë kufitare apo rajonale, siç mund të jetë Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Greqia. Prapë kemi grupe kriminale të cilat penetrojnë për shkak të mosfunksionimit të shumë strukturave shtetërore, por edhe ato policore. Këto janë veprimtari kriminale të cilat ndodhin edhe në vendet më të zhvilluara, siç mund të jenë ato europiane apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Duraj në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN.
“Arma mund të jetë gjetur mes shokëve. Ka raste të tilla nga adoleshentët. Kemi dhe një mënyrë tjetër se si ndodh ky trafikim. Ka pasur shumë faqe online në të cilat qytetarët, të miturit, porosisin armët e tyre në këto faqe online dhe i vijnë me postë. Ka pasur edhe shumë aksione të policisë të cilat i kanë ndjekur edhe penalisht këta tregtarë”, shtoi avokati. (A2 Televizion)