
Kontrollet e ushtruara në burgun e Fierit kanë zbuluar telefona celularë, lëndë narkotike dhe pije alkoolike brenda ambienteve të burgut.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, gjatë kontrollit në pjesën e jashtme pranë Godinës “A” u sekuestruan 10 telefona celularë, 10 karikues telefonash, bidona të dyshuar me përmbajtje alkoolike si dhe lëndë e dyshuar narkotike e gjetur në dy vende të ndryshme.

Po ashtu, gjatë një kontrolli tjetër, të dënuarit me iniciale A.M. iu gjetën pesë qese të vogla me lëndë të dyshuar narkotike,
të fshehura në pjesën e poshtme të një bluze gjatë verifikimit në skaner.
Pas konstatimit, janë njoftuar drejtuesit e institucionit dhe specialistët e Agjencisë, ndërsa i dënuari është shoqëruar në veçim.
Aksioni u zhvillua nga Forcat Operacionale të DPB-së në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
(A2 Televizion)