
Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një 33-vjeçar, të shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike. Ndaj 33-vjeçarit Mhill Shpati, gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Forest 1”. Gjatë operacionit u kap dhe u vu në pranga shtetasi: M. Sh., 33 vjeç, banues në fshatin Bardhaj.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e Policisë.
33-vjeçari dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetas të tjerë, për kultivimin e 10 274 bimëve narkotike kanabis, të cilat janë gjetur dhe asgjësuar nga shërbimet e Policisë, më datë 10.08.2023.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)
