“Nxirrni Veliajn nga kafazi”, “Kushtet janë si hotel me 5 yje”, debate mes Ols Dados dhe Plarent Ndrecës në gjyq

Nga Armand Bajrami
27 Prill 2026, 15:32 | Kronikë

“Nxirrni Veliajn nga kafazi”, “Kushtet janë si hotel me 5

Seanca e radhës në gjyqin kundër Erion Veliajt është shoqëruar me debate mes avokatit të tij Plarent Ndreca dhe prokurorëve. Në seancë nuk u lejuan kamerat, pasi i pandehuri Elman Abule nuk dha pëlqimin për t’u filmuar, raporton A2 CNN.

Kundër transmetimit me kamera ishte edhe prokurori Altin Dumani. “Gjyqi live?! Ne, si organ akuze, nuk kemi problem, por kjo mund të shqetësojë procesin. Në çështjet penale ku ka dëshmitarë, sidomos bashkëpunëtorë të drejtësisë, nuk lejohet transmetimi live. Kjo nuk ndodh as në rajon, as në Europë, as në gjykatat federale në SHBA. Mund të lejohen kamerat për disa pamje filmike, por dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët nuk mund të ekspozohen”, tha ai, përcjell A2 CNN.

Prokurori Ols Dado replikoi me avokatin Plarent Ndreca. “Pse vetëm ti do të flasësh? Prit, se kërkoi fjalën prokurori”.

Dumani: “Kemi dy muaj që kemi kaluar në themel dhe vijojmë ende me seancat paraprake. Avokatët e Veliajt, në mënyrë të përsëritur, paraqesin kërkesa artificiale në gjykimin tonë, me qëllim zgjatjen e shqyrtimit gjyqësor”.

Avokati Plarent Ndreca: “Nuk dihet si kanë hyrë kallëzimet anonime në institucion nga Nesti Angoni dhe Nasta Pëllumbi”.

Ndreca gjithashtu kërkoi që Veliaj të nxirret nga kafazi si në Gjykatën Kushtetuese, ku siç tha ai, nuk pati asnjë problem. “Cenohet barazia në proces; merrni masa për këtë. Në dosje ka përgjime, por ne nuk i kemi dëgjuar, as kemi CD. Kemi vetëm disa procesverbale, të cilat për ne janë interpretime. Ne duam të kuptojmë vetë kontekstin.

Lidhur me këtë kërkesë, prokurori Ols Dado, tha: “Nuk besojmë se përbën problem. Nuk është kafaz, por një xham, dhe ka një të çarë aty ku mund të komunikohet. Kushtet e Gjykatës së Posaçme janë shumë të mira, si në hotel me 5 yje”. Për këtë deklaratë, Dados iu tërhoq vëmendja nga gjykata. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos