Ka përfunduar në mënyrë tragjike një operacion i Policisë së Drejtorisë Vendore të Korçës për arrestimin e një të shumëkërkuari në zonat e thella të fshatit Lozhan, në Bashkinë Maliq.
Një efektiv policie ka mbetur i vrarë dhe një tjetër është plagosur rëndë gjatë operacionit për kapjen e të shumëkërkuarit Violand Bracellari, i dënuar nga drejtësia dhe nën hetim për krime kundër personit.
Efektivi që humbi jetën në krye të detyrës është Enea Mekolli, ndërsa kolegu i tij, Edison Adri, mbeti i plagosur gjatë përplasjes.
Sipas të dhënave paraprake, policia kishte marrë informacion se Bracellari fshihej në një stan në malin e Bodes, në fshatin Lozhan, dhe kishte organizuar një operacion për kapjen e tij, shkruan A2 CNN. Por, sapo forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje, i shumëkërkuari dyshohet se ka hapur menjëherë zjarr ndaj tyre, duke vrarë një efektiv dhe duke plagosur një tjetër.
Forcat e policisë iu kundërpërgjigjën sulmit me armë zjarri, duke bërë të mundur plagosjen dhe neutralizimin e agresorit, si edhe arrestimin e tij. Më pas, ai u transportua në Spitalin Rajonal të Korçës për ndihmë mjekësore.
Burime paraprake bëjnë me dije se autori i ngjarjes ka qenë ish-ushtarak, me njohuri të mira në përdorimin e armëve dhe i përgatitur fizikisht për t’u fshehur e për të jetuar në zona të izoluara.
Ndërkohë, efektivi i plagosur u transportua me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar, pasi kishte marrë plagë në qafë dhe në kokë. Edhe autori i plagosur u dërgua me autoambulancë nga Spitali i Korçës drejt Spitalit të Traumës.
Sakaq, policia ka nisur një hetim të gjerë si për aktivitetin e të shumëkërkuarit në zonën ku fshihej, ashtu edhe për mënyrën se si u organizua operacioni për kapjen e tij. Bracellari kishte arritur t’u shpëtonte disa herë operacioneve të forcave RENEA, ndërsa aksioni i fundit rezultoi fatal për jetën e një efektivi të policisë dhe me plagosjen e rëndë të një tjetri. (A2 Televizion)