
Policia e Vlorës ka finalizuar një tjetër goditje ndaj trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në qytet, në kuadër të operacionit të koduar “Triple”.
Tre të rinj nga Lushnja ranë në prangat e uniformave blu, pasi u kapën duke transportuar një sasi kokaine, me qëllim shpërndarjen në zonën e Vlorës. Të arrestuarit janë A. Rr., 20 vjeç, J. R., 25 vjeç dhe L. K., 21 vjeç, të tre me banim në Lushnjë.
Sipas burimeve zyrtare, efektivët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, kishin siguruar më herët informacion se të rinjtë lëviznin drejt Vlorës me qëllim furnizimin e tregut lokal me kokainë.
Kontrolli i automjetit tip “Volkswagen”, i ndaluar në lagjen “Kushtrimi”, zbuloi 101 gram substancë të dyshuar kokainë, e fshehur poshtë timonit të makinës. Përveç lëndës narkotike, policia sekuestroi edhe katër aparate celularë që dyshohet se përdoreshin për komunikime të aktivitetit të paligjshëm, si dhe automjetin me të cilin udhëtonin tre të rinjtë.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Vlorës, e cila ka nisur procedurat për akuzën e “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim. Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse të arrestuarit janë pjesë e një rrjeti më të gjerë shpërndarjeje. (A2 Televizion)
