Polici “fals” i bën zbor kolegëve, 20-vjeçari u jepte deri “urdhra” policëve në Portin e Durrësit

Nga Igli Çelmeta
4 Nëntor 2025, 15:35 | Kronikë

Policia e Kamzës arrestoi më datë 2 nëntor, 20-vjeçarin Ervis Brasha, i cili u kap duke qarkulluar me automjetin e tij, i veshur me uniformë policie dhe stema zyrtare. Hetimet zbuluan se i riu, hiqej si polic me gradën nënkomisar, madje në disa raste edhe si Drejtues policie nëpërmjet e-mailit.

Ai kishte arritur të dërgonte “urdhra” përmes email-eve të rreme edhe tek efektivë policie. Gjithashtu duke u hequr si polic ai ka kontaktuar edhe efektivë të Portit të Durrësit, duke ndërhyrë në punën e tyre dhe duke i marrë informacion.

Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën dhe sekuestruan katër karta identiteti të dyshuara si të falsifikuara, një armë sportive, uniformë policie, 16 stema e grada drejtuese, si dhe tre kapele me shenja të Policisë së Shtetit.

20-vjeçari kishte krijuar kontakte me punonjës të vërtetë policie, i shkruante atyre në rrjetet sociale dhe publikonte foto e video në institucione shtetërore, i veshur me uniformë. Në disa raste, ai ka hyrë brenda në disa komisariate duke u prezantuar si polic, madje ka hyrë edhe në Akademinë e Sigurisë, duke filmuar brenda ambienteve pa autorizim.

Më parë 20-vjeçari Ervis Brasha kishte aplikuar për inspektor në akademinë e sigurisë, por nuk kishte fituar.

Sipas burimeve hetimore, 20-vjeçari ka deklaruar në dëshminë e tij paraprake se i pëlqente puna si polic. Dëshmia e tij është marrë me rezerva nga grupi hetimor dhe ende nuk ka një pistë konkrete të bazuar në prova, por dyshohet se i riu ka përfituar para duke kërcënuar qytetarë, por po hetohet edhe pista nëse është përdorur nga grupe kriminale për t’u shtirur si polic në veprime të paligjshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos