Genc Ruli, ish-ministri i Ekonomisë në kabinetin “Berisha” në vitin 2005, mohoi të hënën para Gjykatës së Posaçme të ketë pasur ndërhyrje apo presion nga ish-kryeministri Sali Berisha gjatë procedurës së privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Si dëshmitar në procesin “Partizani”, Ruli mohoi edhe të jetë takuar ndonjëherë nga Jamarbër Malltezi për këtë çështje.
Gjatë dëshmisë që zgjati më shumë se 1 orë e 30 minuta, ish-ministri tha se dikasteri që drejtonte supervizonte proceset e privatizimit, shkruan A2. Ai pranoi se Partia Demokratike e kishte pasur në programin e saj qeveritar që gjatë proceseve të privatizimit t’ju jepte përparësi ish-pronarëve dhe se procesi për “Partizanin” kishte nisur para vitit 2005.
Dëshmitari tregoi se në të paktën 2 raste i kishte thënë në bisedë ish-kreut të klubit Partizani, Albert Xhani, “e di që e ke nisur procedurën me qeverinë e mëparshme, por kjo do shkojë në favor të ish-pronarëve”.
Ish-ministri Ruli rrëfeu se në tetor 2005 u kishte bërë një letër të gjitha ministrive të tjera, ku kërkonte një inventar të pronave e nëse ka pasur interes nga ish-pronarët.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka qenë ndër të parët që është përgjigjur, tha ai, sa i përket pronave që ishin jashtë planit të përhapjes. Sipas dëshmitarit, një nga pengesat e procesit të privatizimit ishte moria e udhëzimeve dhe koordimini mes dikastereve.
“Një përgjigje Mediut ia kam kthyer pas 7 muajve. Nga media tani kam mësuar se bashkia kishte përparuar ndërkohë, kishte ndryshuar destinacionin e truallit”, tha Ruli.
Duke përmendur edhe emetimin e bonove të thesarit, Ruli tha se u arrit një kompromis që pagesa për privatizimin e objekteve të bëhej në raportin 20 për qind në cash dhe 80 për qind në bono, për shkak se “edhe Ridvan Bode kërkonte lekë”, duke ju referuar kërkesës ish-ministrit të kohës së Financave për të arkëtuar të ardhura. (A2 Televizion)