Mit'hat Havari, ish-drejtues i lartë i Policisë së Shtetit, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se është e turpshme dhe fyese që policët u marrin lekë shoferëve.
“Ato struktura që janë, 11 000 a 12 000 sa janë tani, kanë pranuar të punojnë në këto kushte, me këto rroga, me atë veshje që u japin këta. Në këto kushte atyre u duhet vetëm vullnet që të punojnë. Duke patur vullnet nga titullari i pari, duhet të jetë modeli. Titullari është modeli. Ata do ndjekin modelin. U kam thënë një herë policëve që nëqoftëse i merrni 2000 lekësha qytetarëve, do thonë janë policët e Mit’hat Havarit. Dhe ato 2000 lekësha i bie që t'i merrja unë, përderisa i merrnin policët e mi. Ishte gjë e turpshme. Si duket kjo gjë u bë modë më vonë. Është e turpshme që Polici i Shtetit të marrë lekë. Nuk i shkon me uniformën që t’i marrë lekë popullit. Është e turpshme, e rëndë, shumë e rëndë, është shumë fyese. Nuk mund të ndodhë kjo. Këtu ka shkuar në atë gjendje të turpshme që uniforma blu u merr lekë shoferëve”, tha Havari.
“Kjo është bërë rrugë dhe nuk ka të bëjë thjesht me rrogën. Këtu ka të bëjë me moralin. Ata e dinë shumë mirë që shefi i tyre vjedh, ka dy-tre shtëpi dhe pastaj ata thonë që “kështu qenka kjo punë, edhe ne po vjedhim se po vdesim fukarenj”. Shoqëria shqiptare duhet të transformohet, si thotë At Zef Pëllumbi, këtij populli duhet me i ndryshuar trunin dhe nëqoftëse nuk ndryshohet truni në Polici të Shtetit, nga titullarët dhe deri te polici thjeshtë që të kenë moral dhe vullnet, nuk kemi gjë në vijë”, shtoi Havari.
(A2 Televizion)
