Pas bulevardit, foltorja e Kuvendit u kthye në arenën e Partisë Demokratike për të paralajmëruar Edi Ramën dhe mazhorancën e tij që protesta e radhës kombëtare do të jetë fundi i tyre.
“20-ta do të jetë fundi juaj. Fundi juaj. 20 shkurti është dita kur shqiptarët përmbysin tiranitë hedhin në lar këto imunitete hajdutëve. dhe bashkë me ta dhe hajdutët”, tha Berisha, përcjell A2 CNN. Refuzimi i mazhorancës për të mbledhur Këshillin e mandateve për t'i dhënë autorizimin SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut sipas Sali Berishës, është një mbrojtje e socialistëve për Edi Ramën. “Një grup njerëzish për të mbrojtur, më falni, në pamje të parë vithet e Belindës, në të vërtetë Edi Ramën”.
Disa socialistë i bënë moral Berishës për fjalorin e përdorur, ndërsa për deputetët e reja të mazhorancës ishte frymëzim, duke iu përgjigjur atij me të njëjtat fjalë joetike. “Gjuha fyese dhe seksiste është e papranueshme”, tha Evis Kushi. “E meqenëse na përmendi si mbrojtës të prapanicave, po si ka mundësi që vazhdon të djegësh Shqipërinë prej 30 vitesh vetëm për prapanicën tënde?”, tha Sara Mila.
Demokratët dhe socialistët një zëri i dënuan dhunën në protestë, por me dy këndvështrime të kundërta. Të djathtët të shqetësuar për dhunën e ushtruar ndaj deputetëve dhe protestuesve, të majtët për atë ndaj Policisë së Shtetit. “Mungon Bledion Nallbati dhe a e dini kryetar pse mungon? Se policia juaj e ka goditur”, tha Luçiano Boçi. “Jeta e një punonjësi policie qenka më me pak vlerë se jeta e deputetit. Tani i hidhni policëve molotovë. Doni t'i digjni të gjallë”, tha ish-ministri i Brendshëm Ervin Hoxha. “Asnjë polic i lënduar dhe i plagosur në spitalin e urgjencës, protestues paqësor, kryengritës paqësor në lule të ballit me plumb gome”, iu përgjigj Berisha.
Debati se kush u dhunua më shumë, mes Sali Berishës dhe ministres së brendshme Albana Koçiu, degjeneroi në fyerje ndaj njëri-tjetrit. “Je gënjeshtar patologjik. Përveç se je dhunues, e ke në gjen gjakun që do ta derdhësh me patjetër”, tha ajo. “Gojë përdalurave nuk duhet përgjigjesh kurrë”, ia ktheu Berisha.
Socialistët nuk thanë asnjë fjalë për kolegun e tyre demokrat Bledion Allbati që u godit nga policia, por i kujtuan Berishës plumbat e 21 janarit, një moment që detyroi të fliste dhe ishgardistin e asaj dite, sot deputet të Partisë Socialiste, Agron Malaj. Fuqitë e demokratëve për të bllokuar foltoren mbajtën vetëm dy orë me dy ndërprerje pesë minutëshe. Pas paralajmërimit të fundit për të kaluar direkt në votim, opozita u qetësua dhe seanca vijoi normalisht me rendin e ditës. (A2 Televizion)