
Adriatik Lapaj, kreu i “Shqipëria Bëhet”, në një lidhje direkte nga sheshi para Kryeministrisë me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se kryeministri Edi Rama i ka kërkuar në Qershor “që të bëhemi pjesë e një qeverie me bazë të gjerë”.
“Gazetarët e dinë mirë, gjithë Tirana e di mirë, që pushteti në muajin qershor ka kërkuar që ne të bëheshim pjesë dhe palë e një qeverie me bazë të gjerë dhe unë kam refuzuar plot dy herë”, tha Lapaj.
“Telenovela e shëmtuar e verës ka qenë më pas çmimi që më është dashur të paguaj, të shkruar nga skenaristi dhe të luajtur nga regjisori Edi Rama”, shtoi Lapaj, i cili theksoi se nëse Avokat i Popullit zgjidhet Endri Shabani, nuk do të pranohet në protestë, sepse, sipas tij, nuk plotëson kriteret për të qenë Avokat Populli i denjë.
Lapaj deklaroi më tej se policia nuk lejon çadra që të qëndrojnë protestuesit sepse, sipas tij, Edi Rama ka frikë mos “Tirana mbushet me çadra kampingu nga protestuesit”. (A2 Televizion)