Teksa në Kuvend po diskutohet projektbuxheti dhe pritet që këtë të enjte të votohet në seancë plenare, demokratët kanë nisur ofensivën duke propozuar amendamentet e tyre. Përveç propozimeve të deputetëve në komisione, Sali Berisha nga selia blu prezantoi këtë të mërkurë atë që ai e quan “paketa kundër shpopullimit”.
Plani i Berishës është afatgjatë, pasi synon që të ketë shtrirje deri në 2040 me një faturë financiare prej 4 miliardë Euro. Për të ndalur shpopullimin demokratët janë të mendimit se fillimisht duhet të nxiten lindjet, ndaj kërkojnë rritjen e bonusit për bebet.
“Fëmija e parë të ketë një trajtim mujor 1 mijë euro në vit. Fëmija e dytë 2 mijë euro. Fëmija e tretë 3 mijë euro bonus. Fëmija e katërt dhe më shumë, 5 mijë euro bonus. Të gjitha këto të përllogaritura për 30 mijë lindje në vit, shkojnë 60 milionë euro sepse ne kemi përllogaritur edhe kostot e kësaj ndërhyrje”, u shpreh kreu demokrat.
Paketa e demokratëve parashikon edhe ulje taksash dhe kredi të butë, si dhe mbështetje për familjet me më shumë se 3 fëmijë, por edhe për të rinjtë që të mund të krijojnë familje.
“Të rinjtë, deri në moshën 25-vjeçare, të përjashtohen nga pagesa e tatimit mbi të ardhurat mbi pagën. Janë rreth 200 mijë të rinj dhe shuma është rreth 10 milionë euro. Kredi të butë, interesa kreditore të subvencionuara nga buxheti i shtetit për 5 mijë çifte të reja në vit. Kredi gjer në 100 mijë euro. Shuma vjetore 15 milionë euro”, theksoi Berisha.
Pyetjes se ku do të gjenden paratë për të zbatuar këtë paketë, Berisha iu përgjigj pa hezitim.
“Kjo faturë, në qoftë se ju lexoni KLSH-në, aktet e kontrollit të tyre, jo 1-vjeçare, 9-mujore, kjo faturë është një e katërta e vjedhjeve të qeveritarëve”.
Lideri demokrat tha se kjo paketë është vetëm fillimi për të luftuar shpopullimin, pasi kërkoi që të ketë edhe masa të tjera. (A2 Televizion)