I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, solli një dëshmi personale për të ilustruar, sipas tij, realitetin e vështirë ekonomik në vend. Ai u ndal veçanërisht te pensionet dhe çmimet e larta të ushqimeve dhe barnave.
“Unë s’kam nevojë të dëgjoj deputetët e PS-së që thonë se prindërit e tyre janë të kënaqur. Shoh babanë tim, gjithë jetën drejtues, që sot shkon në Maqedoni për të blerë ilaçet, sepse janë 80% më lirë. Ky është turp i madh,” deklaroi Blushi në Off The Record me Andrea Dangllin.
Ai theksoi se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë deri në 50% më të larta se në vendet e Bashkimit Europian, ndërsa qytetarët përballen me kosto të papërballueshme jetese. Sipas tij, buxheti i shtetit po ndërtohet mbi barrën e vetëm 1.3 milionë shqiptarëve që kanë mbetur në vend.
Blushi foli edhe për angazhimin e opozitës, duke theksuar se sot detyra e saj nuk është rehatia personale, por sakrifica dhe përfaqësimi i qytetarëve që shpenzojnë edhe paratë e fundit për të marrë pjesë në protesta. “Ai qytetar që vjen nga Kombinati dhe paguan urbanin, heq bukën e fëmijëve të vet. Ai është borxhi im si deputet opozite,” u shpreh ai. (A2 Televizion)