Balla: Shqipëria ftohet si Anëtare Themeluese në Bordin e Paqes, votim me peshë historike në Kuvend

Nga A2 CNN
22 Janar 2026, 10:31 | Politikë

Balla: Shqipëria ftohet si Anëtare Themeluese në Bordin e Paqes,

Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë sot ratifikimin e marrëveshjes për pranimin e Republikës së Shqipërisë në Kartën e Bordit të Paqes, një organizëm i ri ndërkombëtar për ndërtimin dhe garantimin e paqes.

Gjatë fjalës së tij në seancë plenare, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e cilësoi këtë vendim si një moment me rëndësi të veçantë politike dhe historike për vendin.

Sipas Ballës, Shqipëria është ftuar të marrë pjesë në këtë organizëm si Vend Anëtar Themelues, një ftesë që, sipas tij, përfaqëson një vlerësim të drejtpërdrejtë ndërkombëtar për rolin konstruktiv dhe të besueshëm të vendit në arenën ndërkombëtare.

“Shqipëria nuk ftohet si vëzhguese, por si bashkë-arkitekte në ndërtimin e një mekanizmi të ri ndërkombëtar për paqen,” u shpreh Balla, duke theksuar se ky zhvillim e vendos vendin nga periferia e diskutimeve globale në qendër të vendimmarrjes ndërkombëtare.

Ai bëri me dije se, sipas Kartës së Bordit të Paqes, pjesëmarrja e shteteve anëtare nuk cenon sovranitetin kombëtar, ndërsa angazhimi në misione dhe financimi janë vullnetare. Po ashtu, çdo shtet anëtar gëzon të drejtë të barabartë vote dhe rol aktiv në drejtimin strategjik të organizmit.

Duke iu referuar letrës zyrtare drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Balla tha se Presidenti i Shteteve të Bashkuara e ka cilësuar nismën si një përpjekje historike për ndërtimin e paqes, e bazuar në një qasje pragmatike dhe të orientuar drejt rezultateve konkrete, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Sipas Ballës, ftesa për anëtarësim konfirmon forcën e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pasqyron besimin ndaj politikës së jashtme shqiptare si të qëndrueshme dhe të përgjegjshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos