BE diskuton integrimin, ambasadorja: Jo vetëm ligje, Rama: Mos na lini në baltë

Nga Anesti Barjamemaj
28 Shtator 2026, 14:28 | Politikë

Më shumë transparencë dialog dhe jetë parlamentare më të shëndetshme. Këto ishin mesazhet e amabssadores së Bashkimit Evropian në Shqipëri, Moreira de Sousa gjatë konferencës në Tiranë mbi zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë. Diplomatja edhe një herë solli në vëmendje se nuk mjafton vetëm miratimi i ligjeve apo reformat por zbatimi i tyre.

Ambasadorja e BE në Tiranë Moreira de Sousa tha: “Ky kalendar ambicioz nuk mund të vijë në dëm të cilësisë, mbikëqyrjes parlamentare dhe të konsultimit të vërtetë. Ndaj është kaq e rëndësishme qasja që të përfshihet e gjithë shoqëria dhe të dëgjohet zëri i qytetarëve. Procesi i anëtarësimit merr kuptim vetëm kur qytetarët arrijnë të shohin çfarë do të thotë BE për jetën e tyre të përditshme”.

Kryeministri Edi Rama edhe një herë theksoi se shqiptarët shohin vetëm drejt BE.

“Ka një koiçidencë këtu, 7 fëmijë ka Ursula dhe BE-ja ka 7 kandidatë. Kështu që fëmijët e Ursulës nuk u rritën në lagje, ata u rritën rreth tavolinës. Ajo s’i tha vajzës shko dhe kalo ca kohë me atë gangsterin rus atje te cepi, sepse mami është pak e zënë, ajo s’i tha djalit shko dhe luaj me ca lodra kineze, sepse tani tavolinën e përdorin të rriturit, jo ishin të gjithë rreth tavolinës, por jo të gjithë kishin të njëjtën vlerë zëri, s’kishin të njëjtën forcë fjale, madje edhe ushqimi mund të mos ketë i njëjtë”.

Rama nuk la jashtë vëmendjes as të ashtuquajturin “Revolucioni flamingo”, por i kujtoi BE-së dhe premtimin që Ballkani të bëhet pjesë e unionit.

“Mendoj se Europa duhet të gjejë momentin e Helmut Kohlit dhe të thotë hajde të gjithë rreth kësaj tavoline, dhe pastaj se çfarë merr secili varet nga procesi që bazohet te merita. Nëse ende po punon për një kapitull tjetër, je ende një nga fëmijët e Ursulës që s’është rritur ende. Ama për një gjë ne kemi rënë gjithmonë dakord, për faktin që duam të jemi pjesë e Europës dhe që ne e dashurojmë Europën. Prandaj ne shpresojmë shumë, unë shpresoj pres shumë që juve të mos na lini përsëri në baltë”.

Ndërsa kreu i Kuvendit, Niko Peleshi kishte një tjetër qasje duke pohuar se Shqipëria nuk kërkon rrugë të shkurtra për të hyrë në BE

“Ne kemi vetëm një plan dhe ky është Bashkimi Evropian. Objektivi ynë është i qartë mbyllja e negociatave teknike brenda 2027 dhe anëtarësimi i plotë brenda kësaj dekade”, tha Peleshi.

Konferenca “Agjenda Strategjike për Zgjerimin e BE-së dhe Anëtarësimin e Shqipërisë” zhvillohet në Tiranë dhe mbledh së bashku përfaqësues të parlamenteve dhe institucioneve të vendeve anëtare, kandidate dhe kandidate potenciale të BE-së. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos