“Nuk presim më opozitën”.
Paralajmërimi i Kryeministrit Edi Rama si fillim u dëgjua nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla: “Hajdeni ose i bëjmë reformat pa ju”.
Fjala e Edi Ramës dhe më pas e Taulant Ballës nuk u bënë dy nga anëtarët socialistë të Komisionit të Reformës Territoriale. Në një ditë të ngarkuar me shumë zhvillime paralelisht, mes zhurmës për miratimin e aderimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes, socialistët zgjodhën që të mblidhin komisionin pa praninë e opozitës për të ndryshuar rregullat e lojës, shkruan A2CNN.
“Dashamirësia e mazhorancës dhe e Kuvendit për të krijuar barazi dhe bashkëkryesi është kthyer në mekanizëm bllokimi. Do kërkoj që t’i kërkojmë Kuvendit ndryshimin e vendimit të krijimit të komisionit në mënyrë që pariteti dhe bashkëkryesimi të mos jenë më. Që t’i japim vetes mundësinë të vijojmë dhe të kemi kuorum. Për të ndryshuar numrat dhe bashkëkryesinë”, tha Arbian Mazniku, deputet i PS.
Pavarësisht këtij vendimi, sërish socialistët lënë një derë hapur për opozitën, që nëse nuk bojkoton i ka vendet e saj në komision.
“Ne do mbetemi gjithmonë të hapur për opozitën, opopzita të ketë vendin e saj këtu. Do të mbetemi me të njëjtin parim siç ishim kur u krijua ky komision, për të bashkëpunuar”, shtoi Mazniku.
E njëjta situatë pritet të ndodhë edhe për Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, ku opozita ka bashkëkryesim dhe të drejtën e vetos. Edhe në këtë rast, paralajmërimin e ka dhënë Edi Rama. (A2 Televizion)