Bozdo: Partitë e vogla do dëgjohen, jam për sistemin e vitit 2005

Nga A2 CNN
5 Shkurt 2026, 22:17 | Politikë

Eno Bozdo, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, siguroi se partitë e vogla do të dëgjohen “jo vetëm për Reformën Territoriale, por edhe Reformën Zgjedhore”.

“Është detyrimi ynë që çfarë ndodh në tryezë, ne të shkojmë të konsultuar dhe me partitë e tjera opozitare. Besoj kjo ka për të qenë jo vetëm për Reformën Territoriale, por edhe Reformën Zgjedhore. Do dëgjohen edhe partitë e vogla. Ne do i thërrasim në tryezë ata. Nëse ti i thërret, ti do dëgjosh çfarë thonë ata. Pastaj, se çfarë thonë, se si kuptohet, është diskutim tjetër. Ti të paktën ke detyrimin të ulesh e të konsultohesh. Çështja është që nga këto që quhen parti të vogla mund të vijnë ide dhe mendime shumë të mira. Ti do i dëgjosh, do mundohesh që t'i përfaqësosh në maksimum dhe interesat e tyre brenda”, tha Bozdo.

“Ne nuk punojmë në vakum. Punonim me një mazhorancë e cila ka forcën e kartonit dhe kjo gjë është kështu siç është. Nëqoftëse doni ta dini, unë personalisht mendoj që ne duhet t'i kthehemi sistemit të 2005-s”, shtoi deputeti demokrat.

Sipas tij, “është detyrimi i Partisë Demokratike të shpalosë përpara opinionit publik, përpara atyre që e njohin këtë sektor mirë, para gjithë shqiptarëve, çfarë ka ndodhur deri tani, çfarë duhet korrigjuar dhe si duhet korrigjuar”.

“Jemi duke folur për një qëndrim të caktuar që i kërkohet opozitës dhe për mua me të drejtë, që të marrë pjesë, të jetë aktive. Pavarësisht se shanset janë ato që janë, pavarësisht se loja duket sikur është e përcaktuar, i kërkohet që të komunikojë me publikun, me opinionin dhe të thotë sipas saj si duhet bërë reforma dhe çfarë rezultati dhe çfarë pamje duhet të ketë reforma. Të paktën, për mendimin tim personal, unë jam ekzaktësisht në këtë platformë. Unë personalisht si Eno. Tani, se çfarë do na ndodhi neve në komision, para kujt fakteve të kryera do gjendemi, përpara çfarë klime do jemi në komision, unë edhe po tentoj ta marr me mend, por nuk dua as ta them. Unë personalisht mendoj që është detyrimi i Partisë Demokratike të shpalosë përpara opinionit publik, përpara atyre që e njohin këtë sektor mirë, para gjithë shqiptarëve, çfarë ka ndodhur deri tani, çfarë duhet korrigjuar dhe si duhet korrigjuar. Merret apo jo parasysh, është diskutim tjetër”, tha Bozdo.

“Gjithashtu, vazhdoj të këmbëngul që Partia Demokratike nuk ka luksin që të humbë asnjë dritare ku ndodh debati. Nga një anë, qëndrimi i saj radikal, i ashpër, shumë i fortë, i detyruar ndaj narkoshtetit. Por, nga ana tjetër mos harrojmë që Parlamenti është aty. Njerëzit duan të dëgjojnë jo vetëm akuza të cilat janë të faktuara 100% ose po faktohen, por herë pas here duan të dëgjojnë edhe alternativa dhe këtë na e kërkojnë”, theksoi më tej Eno Bozdo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos