Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, i kërkon mazhorancës socialiste që të tërhiqet nga votimi kundër i ligjit që i hap rrugë standardizimit të pagave të mësuesve. Në një deklaratë për mediat nga Kuvendi, Zhupa tha se deputetët e PS duhet të votojnë nismën e inicuar prej saj që edhe mësuesit që kanë mbaruar para sistemit të Bolonjës të mund të përfitojnë rritjen page.
“E para për t'i bërë thirrje Partisë Socialiste që pavarësisht votimit në Komisionin e ligjeve të tërhiqen nga këto votime kundra interesit publik dhe kundra interesit të mësuesve. Ne do të kemi mundësinë ta shqyrtojmë edhe në komisionin e edukimit, do të kemi mundësinë edhe në seancë plenare, të tërhiqen dhe të votojnë pro interesit të mësuesve, pro ligjit që e kërkojnë mësuesit, pro ligjit që e kërkon sindikata e mësuesve dhe që e kanë të nevojshme për trajtimin e tyre financiar. Nëse kanë komplekse të tipit që nuk votojmë ne një projektligj të maxhorancës të opozitës, jam shumë e gatshme të vendos në projektligjin tim emrin edhe të një kolegu tjetër të mazhorancës. Le të vendosim emrin e Ulsi Manjës, emrin e Evis Kushit, apo të Ogerta Manastirliut që ja u hoqi me VKM. Nuk ka asnjë problem, por ky kuvend duhet t'i shërbejë interesave të mësuesve. Ky kuvend sot ka krijuar në mënyrë të paprecedent një rast i cili thotë; ne nuk votojmë ligje që vijnë nga deputetët e opozitës. Pra do të thotë që nga sot e tutje ne nuk duhet të çojmë asnjë nismë ligjore sepse këtu kemi një votë të absolute kundër interesit publik. Dhe ky nuk është parlamentarizmi, ky nuk është standard që kërkon Bashkimi Europian”. (A2 Televizion)